BMI Albania | Vendi i dytë – Helga Sulillari
16536
post-template-default,single,single-post,postid-16536,single-format-standard,cookies-not-set,ajax_fade,page_not_loaded,,qode-title-hidden,qode-theme-ver-10.0,wpb-js-composer js-comp-ver-4.12,vc_responsive

Vendi i dytë – Helga Sulillari

Helga Sulillari

Çmimi i dytë është një kupon për një zbritje prej 20% në tjegulla betoni, modeli Natura (tjegulla të plota dhe tjegulla aksesore për 100 m² çati).

“Dua të kem një kulm mbi kokë” i them vetes sa herë më tepron ndonjë para nga rroga mujore (kjo nuk ndodh shpesh), pastaj me tepricat del ndonjë andrallë nga shkolla, prishet ndonjë elektroshtëpiake, martohet ndonjë dhe fjalia kthehet në formën e saj dëshirore në vend të dëftores: “Do të doja të kisha një kulm mbi kokë” ose ose “Eh të kishin ca qereste!” Shtëpia në fjalë është e prindërve të të fejuarit, në të gjashtëdhjetat të dy, herë me punë herë jo, herë sëmurë herë shëruar kanë arritur ta ngrejnë banesën, ta shtrojnë me pllaka, tani vonë këtë verë bënë dhe një tualet brenda mirëpo ka ngelur çatia. Askush s’flet për çatinë! E shumta ngrejmë supet dhe përpiqemi të mos e shikojmë njëri-tjetrin. Duhen tjegulla, duhen trarë, duhen ulluqe, duhet usta, duhen materiale të tjera… pastaj të gjitha këto duhen paguar (ja këtu çalon puna). Mirëpo dhe nëse nuk e fitoj këtë konkursin çatia do bërë. E imagjinoj veten të ulem nën strehë dhe të pi një kafe pa më djegur dielli, në kohën e shirave përshembull të mos mbushen me ujë këpucët e lëna jashtë dhe të mos kërkoj për legena, kapakë, teneqe për të pritur ujin nga vendet ku pikon. E imagjinoj çatinë e re të duket e bukur që larg, oxhaku të jetë i ri dhe mos ta kthejë tymin mbrapsht gjatë dimrit, dhe familjen tonë disi më të qetë… Para shumë viteve nuk e kisha vënë re sesa gjëra pozitive mund të sjellë një çati e re, as nuk isha ulur për një sekondë të vetme ta mendoja sepse ajo që kishim ishte e mirë. Fillon i mendon gjërat më mirë kur nuk i ke dhe/ose nuk mund ti kesh.

No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.